Articles

Mesazhi Pershendetes i Dekanes se Fakultetit te Mjekesise

dekania-fm

Të dashur studentë, pedagogë e Profesorat i Fakultetit të Mjekësisë,

Ri-aktivizimi i faqes web të Fakultetit të Mjekësisë më jep mundësinë t’u dërgoj të gjithëve përshëndetjet më të ngrohta, për familjet dhe jetën profesionale e akademike të gjithësecilit.

Nëpërmjet kësaj "dritareje" ne, sëbashku, do shohim më shumë, më qartë dhe me nga afër njëri- tjetrin, sfidat dhe arritjet. Do të kemi mundësi të komunikojmë dhe të shkëmbejmë shqetësime dhe mundësi zgjidhjesh. "Sëbashku" është fjalë të cilën nuk do ta harrojmë.

Të nderuar pedagogë,

Me Fakultetin e Mjekësisë lidhin ëndrrat dhe jetën e tyre, çdo vit, më shumë se 300 studentë, ndër më të shkëlqyerit e brezave të maturantëve. Ata vijnë me një ëndërr të madhe, kanë zgjedhur një profesionin qe kthen buzeqeshjen në fytyrat e njerëzve, por kërkon edhe shumë sakrifica duke e shndërruar këtë profesion në Mision. Tradita është joshëse dhe e ardhmja premtuese për secilin. Është në dorën tonë; t’u mësojmë  këtyre të rinjve profesionin duke i bërë ta duan me fort, apo  t’i lëmë mes pasigurirash të vështira; t’i bëjmë të duan e çmojnë njerëzit në hall e nevojë, apo t’u injektojmë cinizëm a ftohtësi. Breza të tërë mjekësh të mrekullueshëm i kanë dhuruar studentëve të tyre, në këto auditore, modelin e sakrificës njerëzore që ushqen dijen, zotësinë dhe besimin tek shkenca. Le ta ngremë më tej këtë traditë!

Sot Fakulteti i Mjekësisë ndodhet përballë sfidash të rëndësishme në synimin e vet të formimit të mjekëve bashkëkohore, në kohëra dinamike që ndryshojnë me shpejtësi të lartë. Mjekësia e shekullit të 21 ka detyruar gjithkund ndërrmarje reformatore e modifikime aspak të thjeshta. Edukimi mjekësor është shndërruar në shkencë. Prej gati dy vjetësh jemi pjesë e Universitetit Mjekësor, pjesë e misionit të së cilit është ngritja në shkallë më të lartë dhe bashkërendimi i të gjithë shkencave mjekësore. Të mos harrojmë për asnjë çast që askush i vetëm, e asnjë grup i vogël nuk bëhet dot bartës, vizatues apo zbatues modelesh reformimi modernizues. Është një proces që kërkon bashkëpunim nga të gjithë.

Zëri i studentëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm si garantuesi i mbarësisë në këtë proces. Ata, më shumë se kushdo, kanë energjinë qëtë japë shtysën e duhur për të ngjitur Shkollën Shqiptare të Mjekësisë në nivelin e shkollës së një kryeqyteti europian të së nesërmes. Krijimi i kushteve për bashkërendim forcash me Profesoratin, pedagogët e stafin akademik është në dorë të këtyre të fundit.

Komunikimi i mbarë e transparent, dashamirësia për përparim e progres, motivimi për t’u marrë seriozisht me sfidat e të ardhmes, si pjesë e Universitetit Mjekësor  janë synim i qartëi orientimit të punës në Fakultetin e Mjekësisë.

Për këtë arsye, ri-aktivizimin e faqes web të Fakultetit të Mjekësisë e çmoj përtej rigjetjes së një instrumenti të thjeshtë komunikimi, por duke e parë si hap të rëndësishëm në një rrugëtim bashkëpunimi të të gjithë atyre që do të marrin apo ushqejnë me informacion.        

Është pra, ky, një moment reflektimi për nevojën e bashkëpunimit në të mirë e përfitim të gjithkujt.

Prof. Mira Rakacolli

Dekane