Fakulteti i Mjekesise

Fakulteti i Mjekesise

Fakulteti i Mjekesise e nisi punen e tij ne 22 shtator 1952 si Instituti I Larte Mjekesor (ILM)  nje prej…

Fakulteti i ...

Fakulteti i ...

Fakulteti i Mjekesise e nisi punen e tij ne 22 shtator 1952 si Instituti I Larte Mjekesor (ILM)  nje prej…

DEKANI :  Bajram  Hysa

DEKANI : Bajram Hysa

Mesazhi Pershendetes…

Frontpage Slideshow | Copyright © 2006-2011 JoomlaWorks Ltd.

Doktoratura

PERDORIMI I BARNAVE NE SHERBIMIN PARESOR SHENDETESOR - LAERTA kAKARIQI

 

2. HYRJE

 

 

2.1. KËRKIMI MBI PËRDORIMIN E BARNAVE DHE PËRSE NEVOJITET

 

Zhvillimi i politikave mbi barnat në vende të ndryshme ka shtuar kërkesat për njohuri më të thella në këtë fushë. Kështu, ka lindur nevoja e identifikimit, njohjes së prirjeve të konsumit të barnave dhe e vendosjes së prioriteteve në interes të organeve rregullatore, si dhe për të ndërtuar programe edukimi shëndetësor dhe informacioni. Të dhënat mbi përdorimin e barnave janë gjithashtu shumë të rëndësishme për të vlerësuar efektivitetin e masave të marra me qëllim përmirësimin e situatës. Ka ardhur gjithnjë e në rritje nevoja për të siguruar informacione mbi përdorimin e barnave jo vetëm nëpërmjet kanaleve tregtare të kompanive farmaceutike, por përmes studimeve të posaçme. Kjo edhe si pasojë e zhvillimit të sistemeve kombëtare të sigurimeve dhe kujdesit shëndetësor.(1)

Puna kërkimore mbi përdorimin e barnave ka nisur me nismat e ndërmarra në Europën e Veriut dhe në Mbretërinë e Bashkuar në mesin e viteve 1960 (2, 3). Puna pioniere e Arthur Engel në Suedi dhe e Pieter Siderius në Hollandë sensibilizoi dhe tërhoqi vëmendjen e shumë kërkuesve shkencorë mbi rëndësinë e krahasimit të përdorimit të barnave ndërmjet vendeve dhe rajoneve të ndryshme (4). Nëpërmjet punës së tyre ata treguan diferenca të rëndësishme në shitjet e antibiotikëve në gjashtë vende europiane ndërmjet viteve 1966 dhe 1967, duke frymëzuar kështu ekspertët e OBSH për të organizuar takimin e parë mbi “Konsumet e barnave” në Oslo më 1969 (5,6). Ky takim çoi në themelimin nga OBSH të Grupit Kërkimor mbi Përdorimin e Barnave (DURG) (Drug Utilization Research Group).

Këto studime morën zhvillim të shpejtë gjatë 30 viteve të fundit duke u shndërruar në një subjekt të punës së klinicistëve, farmakologëve klinikë, farmacistëve dhe epidemiologëve.  Numri i artikujve rreth këtij subjekti në revistat ndërkombëtare që listohen në Indeksin mjekësor kumulativ (Cumulative index medicus) pësuan rritje nga vetëm 20 në vitin 1973 (kur u përdor për herë të parë termi “përdorim i barnave”) në 486 në vitin 2000  (7,8,9).

Studimet kërkimore mbi përdorimin e barnave janë përkufizuar nga OBSH në vitin 1977 si “studime lidhur me tregtimin, shpërndarjen, përshkrimin dhe përdorimin e barnave në një shoqëri, duke u përqëndruar mbi pasojat mjekësore, sociale dhe ekonomike të tyre” (10). Sot, ky koncept është zgjeruar më tej, duke bërë të rëndësishme të kuptohen ndërveprimet dhe bashkëveprimet me fusha të ndryshme, p.sh. me farmakoepidemiologjinë, e cila aplikon metoda epidemiologjike për studimin klinik të përdorimit të barnave në popullatë. Përdorim racional (i arsyetuar) i barnave do të thotë që të sëmurët të mjekohen me barna të cilët të përputhen me nevojat e tyre klinike, barnat të jepen në dozë të përshtatshme, për aq kohë sa nevojiten, dhe me koston më të ulët të mundshme për të sëmurët dhe për komunitetin (11).

Ky përkufizim do të thotë që trajtimi me barna të synojë efikasitetin maksimal, rrezikun minimal, duke respektuar zgjedhjet personale të të sëmurit, ose më thjesht akoma: “përdorimi i barit të duhur, me dozën e duhur, për të sëmurin e duhur, me çmimin më të ulët të mundshëm” (12).

Përse nevojitet puna kërkimore mbi përdorimin e barnave?

Qëllimi kryesor i punës kërkimore mbi përdorimin e barnave është racionalizimi i përdorimit të barnave në popullata të ndryshme. Pa njohur mirë mënyrën sesi barnat përshkruhen dhe përdoren, është e vështirë të flitet mbi përdorimin racional dhe të sugjerohen masat e duhura për të ndërhyrë në përmirësimin e përshkrimit. Puna kërkimore mbi përdorimin e barnave mund të jetë e orientuar drejt karakteristikave të barit duke vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin e barnave të veçantë, apo të grupeve të caktuara të barnave, me qëllim final përmirësimin e cilësisë së terapisë medikamentoze nëpërmjet ndërhyrjeve pedagogjike (apo procesit pedagogjik) (13).

Studimet mbi përdorimin e barnave fokusohen mbi faktorët që ndikojnë në përshkrimin, shpërndarjen, administrimin dhe marrjen e barnave, qofshin këta faktorë mjekësorë dhe jo-mjekësorë (14), si dhe analizimin e lidhjes ndërmjet përdorimit të barnave dhe efekteve terapeutike dhe të padëshiruara të tyre (15-17). Të dhënat e përftuara nga studimet klinike të para-hedhjes në treg dhe pas-hedhjes në treg të barit nevojiten për të siguruar bazën e përshtatshme për përmirësimin e terapisë medikamentoze (18). Interesi rreth studimeve mbi përdorimin e barnave i gjen fillimet e veta në vitet 1960 (19) dhe aktualisht ka pësuar rritje të konsiderueshme (20, 21). Hetimet e para (18, 22, 23) janë kryer kryesisht për qëllime tregtimi dhe të dhënat e përftuara nuk ishin të gatshme të përdoreshin nga kërkuesit akademikë apo nga autoritetet shëndetësore. Hedhja në treg e një numri shumë të madh të molekulave të reja, variacionet e larmishme mbi llojet e përshkrimit dhe konsumit të barnave, shqetësimi në rritje mbi toksicitetin kronik dhe mbi kostot e barnave në treg, që reflektohen nga rritja e numrit të shitjeve dhe e vëllimit të përshkrimeve, të gjitha këto, kontribuan në rritjen e rëndësisë së këtyre studimeve (24-27).

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkimi mbi përdorimin e barnave fillimisht është zhvilluar në nivel institucional, ose si pjesë e programeve lokale të shëndetit (19). Studimet europiane mbi përdorimin e barnave janë kryesisht sasiore, duke përshkruar dhe krahasuar përdorimin e grupeve të caktuara të barnave në varësi të rajonit gjeografik dhe periudhave kohore (23, 28, 29). Këto studime kanë treguar variacione të mëdha në përdorimin e barnave që i përkasin klasave të ndryshme terapeutike (p.sh. antidiabetikët, barnat psikotropë, barnat anti-inflamatorë josteroidë (30), barnat antihipertensivë, antibiotikët (26) dhe barnat hipolipemiantë (31)).

Studimet kërkimore mbi përdorimin e barnave mund të ndahen në studime deskriptive dhe analitike. Në thelb të studimeve deskriptive qëndron përshkrimi i mënyrës së përdorimit të barnave dhe identifikimi i problemeve që kërkojnë studime më të detajura. Studimet analitike përpiqen të analizojnë lidhjen ndërmjet të dhënave mbi përdorimin e barnave me të dhënat e sëmundshmërisë, me rezultatet e trajtimit, dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor, duke pasur qëllim final vlerësimin e racionalitetit të përshkrimit të barnave.

Studimet specifike dhe të detajuara mbi përdorimin e barnave mund të fokusohen mbi:

- barin (p.sh. lidhjen dozë-efekt, përqëndrim-efekt),

- mjekun përshkrues (p.sh. indikatorët cilësorë të përshkrimit), ose

- të sëmurin (p.sh. përzgjedhje e barit dhe dozës së tij përkundrejt funksionit veshkor, fenotipit/genotipit të metabolizmit, moshës, etj).

Cili është objekti i punës kërkimore?

Puna kërkimore mbi përdorimin e barnave dhe farmakoepidemiologjia mund të studiojë hollësisht aspektet e mëposhtme të përdorimit dhe përshkrimit të barnave:

(i)         Mënyrat e përdorimit: prirjet e përshkrimit të barnave, prirjet e konsumit dhe kostot për periudha kohore të caktuara, (dallimet ndërmjet këtyre termave detajohen tek “Metodika e studimit”).

(ii)        Cilësia e përdorimit: krahasimi i të dhënave të përshkrimit aktual me udhëzuesit kombëtarë dhe ndërkombëtarë terapeutikë, apo me formularët lokalë të barnave.

Indikatorët e cilësisë së përdorimit të barnave mund të përfshijnë:

- zgjedhjen e barit (komplianca ndaj produktit të rekomanduar),

- koston e barit (komplianca ndaj rekomandimeve buxhetore),

- dozat e barit (shkalla e ndërgjegjësimit mbi variabilitetin ndërindividual për dozat e përdorura në varësi të moshës), njohuritë mbi ndërveprimet e barnave, numrin e të sëmurëve që janë të ndërgjegjshëm/të pandërgjegjshëm për vlerësimin e raportit kosto-efikasitet të trajtimit të tyre, etj.

(iii)       a) Karakteristikat e mjekut përshkrues: lloji i specialistit, edukimi universitar dhe postuniversitar, faktorët që influencojnë vendimet terapeutike që ai merr, etj; b) karakteristikat e përdoruesve, d.m.th. karakteristikat e popullatës që përdor barnat: parametrat socio-demografikë, qëndrimi ndaj barnave, etj; c) si dhe karakteristikat e barnave (p.sh. veçoritë farmakologjike).

(iv)       Rezultatet e mjekimit: studiohen në mënyrë specifike pasojat mbi shëndetin, p.sh përfitimet terapeutike, efektet e padëshiruara si dhe impakti ekonomik.

Cilat janë vlerat e studimeve mbi përdorimin e barnave?

Karakterizimi i përdorimit të barnave (14) mund të realizohet duke korreluar të dhënat e përshkrimeve të barnave me arsyet e përshkrimit të tyre. Këtu përfshihen koncepti i përshtatshmërisë (16, 22, 23, 28) (i cili duhet të vlerësohet i lidhur me indikimin për trajtimin), sëmundjet shoqëruese (të cilat mund të përbëjnë kundërindikim, ose të ndërhyjnë me barin e zgjedhur), si dhe përdorimi i njëkohshëm i barnave të tjerë (ndërveprimet). Në këtë mënyrë, këto studime mund të dokumentojnë shkallën e përshtatshmërisë së barnave të përshkruar (p.sh. antibiotikët, anti-inflamatorët josteroidë), si dhe pasojat me karakter klinik, ekologjik dhe ekonomik (22, 23, 32, 33). Këto studime gjithashtu mund të hetojnë përqindjen e barnave të përdorur që përputhen me rekomandimet terapeutike të përftuara nga ‘mjekësia e bazuar në fakte’ (34, 35).

Studimet kërkimore mbi përdorimin e barnave nuk marrin përsipër të kthejnë me çdo kusht përgjigje, por mund të gjenerojnë hipoteza të cilat hapin shtegun për vëzhgime të mëtejshme në tre drejtime (13):

1.         Përshkrimi i llojeve të përdorimit të barnave

Puna kërkimore mbi përdorimin e barnave do të thellojë më tej procesin tonë të të kuptuarit të mënyrave të këtij përdorimi nëpërmjet:

- Vlerësimit të numrit të të sëmurëve që i janë nënshtruar trajtimit me barna për një periudhë kohore të caktuar. Të tilla vlerësime mund t’i referohen të gjithë përdoruesve të barnave, pavarësisht nga momenti në të cilin ata kanë filluar përdorimin e barnave (prevalenca), ose mund të fokusohen mbi të sëmurët që kanë filluar të mjekohen brenda një periudhe të caktuar kohore (incidenca);

- Përshkrimit të shkallës së përdorimit të një bari në një moment të caktuar kohor dhe/ose në një zonë gjeografike të caktuar (p.sh. shtet, rajon, komunitet, spital). Të tilla përshkrime marrin më shumë kuptim kur ato janë pjesë e një sistemi të vazhdueshëm vlerësimi, p.sh. kur të dhënat e përdorimit të barnave ndiqen në dinamikë kohore dhe mund të bëhet vlerësimi i prirjeve të konsumit të barnave;

- Vlerësimit të përdorimit racional të barnave, të mbipërdorimit, apo të nënpërdorimit (p.sh. mbi bazën e të dhënave epidemiologjike të një sëmundjeje);

- Përcaktimit të profilit, apo praktikës së përshkrimit të barnave duke vlerësuar cilat janë barnat alternative që janë përdorur për një patologji të caktuar dhe në çfarë sasie;

- Krahasimit të mënyrave të vëzhguara të përshkrimit të barnave me rekomandimet e fundit apo me udhëzuesit (guidelines) bashkëkohorë për trajtimin e një patologjie të caktuar;

- Vlerësimit të numrit të raportimeve për efekte të padëshiruara nga barnat me numrin e të sëmurëve që janë mjekuar me atë bar me qëllim që të analizohet raporti shkak-pasojë.

2.         Sinjalet e para të përdorimit të paarsyetuar të barnave (36)

(i)         Përdorimi i paarsyetuar i barnave:

Përdorimi joracional ose i paarsyetuar është përdorimi i barnave në mënyrë të tillë që nuk përputhet me standardet terapeutike. Në mbarë botën, më shumë se 50% e të gjithë barnave në përdorim përshkruhen, shpërndahen, ose shiten në mënyrë të papërshtatshme, ndërsa 50% e të sëmurëve nuk arrijnë të mjekohen në mënyrë korrekte. Gjithashtu, rreth 1/3 e popullatës botërore nuk ka akses në përdorimin e barnave thelbësore (36).

(ii)        Format e zakonshme të një përdorimi të paarsyetuar të barnave:

- Polifarmacia (përdorimi i shumë barnave tek i njëjti i sëmurë);

- Përdorimi jo i përshtatshëm i antibiotikëve, shpeshherë në doza jo-korrekte, apo për infeksione jo-bakteriale;

- Mbipërdorimi i injeksioneve kur marrja nga goja do të ishte më e indikuar;

- Dështimi i përshkrimit sipas udhëzuesve terapeutikë të miratuar klinikisht;

- Vetëmjekimi i papërshtatshëm, shpesh me barna që duhet të jepen vetëm me recetë;

- Dështim i aderencës ndaj trajtimit (në shumicën e rasteve merret më pak sesa përshkruhet).

(iii)       Shkaqet e përdorimit të paarsyetuar të barnave:

- Praktika joracionale (e paarsyetuar) të përshkrimit nga mjekët;

- Shpërndarje e paarsyetuar nga farmacistët dhe tregtarët e barnave;

- Politikat e ndryshme mbi çmimet e barnave dhe aktivitetet promocionale të industrisë farmaceutike;

- Mungesa e informacionit, edukimit shëndetësor dhe komunikimit mbi përdorimin e arsyetuar të barnave si për mjekët, ashtu dhe për të sëmurët;

- Mungesa e një kontrolli efektiv dhe i mekanizmave rregullatorë mbi përdorimin e barnave;

- Mungesa e vullnetit politik për të promovuar përdorimin e arsyetuar të barnave.

(iv)       Pasojat e përdorimit të paarsyetuar të barnave:

- Çorientimi i të sëmurëve dhe përfitim jo i plotë nga mjekimi;

- Trajtim joefektiv dhe shpeshherë shfaqja e efekteve të padëshiruara;

- Keqpërdorimi i buxhetit mbi barnat dhe rritje joefektive e shpenzimeve të shtetit;

- Rritje e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë.

3.         Ndërhyrjet për të përmirësuar përdorimin e barnave – Ndjekja në dinamikë

Puna kërkimore mbi përdorimin e barnave mundëson të vlerësohet nëse ndërhyrjet dhe masat e marra për përmirësimin e mënyrës së përdorimit dhe përshkrimit të barnave kanë pasur impaktin e dëshiruar dhe nëse ia kanë arritur qëllimit nëpërmjet: (13)

- Monitorimit dhe vlerësimit të efekteve të përftuara nga masat e marra për përmirësimin e përshkrimit (formularët kombëtarë ose lokalë, fushatat e informimit, politikat rregullatore, etj);

- Ndjekja dhe vlerësimi i impaktit të ndryshimeve rregullatore në sistemet e rimbursimit;

- Vlerësimi i shkallës së ndikimit të aktiviteteve promovuese të industrisë farmaceutike dhe aktiviteteve edukative sociale mbi mënyrën e përshkrimit të barnave.

 

 

2.2. TË DHËNAT MBI BARNAT

 

Në varësi të problemit që do të vlerësohet mund të nevojiten lloje të ndryshme të informacionit mbi barnat. Këtu mund të përmenden të dhëna mbi përdorimin e përgjithshëm të barnave, ose të grupeve farmakologjike të veçanta, të produkteve të caktuara xhenerike, etj. Shpeshherë mund të nevojiten të dhëna mbi patologjinë e trajtuar, të dhëna mbi të sëmurin dhe mbi mjekun përshkrues. Gjithashtu të rëndësishme janë dhe të dhënat mbi koston e barnave për të siguruar një përdorim sa më ekonomik dhe të efektshëm të tyre.

Llojet e informacionit mbi barnat përshkruhen si më poshtë (13):

1. Të dhënat e bazuara mbi prirjet e konsumit të barnave

Prirjet e konsumit të barnave ndihmojnë për krijimin e një tabloje të detajuar mbi përdorimin e barnave dhe japin informacion mbi indikimet dhe dozat e përdorura.

2. Të dhënat e bazuara mbi sëmundjet

Në këto raste, në vend që të analizohet mënyra e përdorimit të një bari të caktuar, çështja adresohet mbi mënyrën e trajtimit të një patologjie të caktuar (p.sh. dhimbje e fytit, hipertensioni arterial, ulçera gastrike, depresioni, etj).

3. Të dhënat e bazuara mbi të sëmurët

Shpeshherë janë të nevojshme të dhëna demografike dhe të tjera mbi të sëmurin. P.sh., rëndësi të veçantë ka shpërndarja moshore e të sëmurëve për të vlerësuar gjasat e shfaqjes së efekteve të padëshiruara nga përdorimi i anti-inflamatorëve jo-steroidë, ose për të parë nëse bari është përdorur në një grup-moshë të ndryshme nga grup-mosha e përdorur në provat klinike. Sëmundjet bashkëshoqëruese janë të rëndësishme për të vendosur zgjedhjen e parë të terapisë dhe efektet e mundshme të padëshiruara. P.sh., në trajtimin e hipertensionit arterial, betabllokuesit duhet të evitohen tek të sëmurët me astëm bronkiale; ACE-inhibitorët janë të preferuar në të sëmurët që vuajnë edhe nga insuficienca kardiake. Të dhënat mbi njohuritë, botëkuptimin dhe nivelin social të të sëmurëve, si dhe sjellja e tyre ndaj barnave, janë gjithashtu të rëndësishme për të ndërtuar programe informacioni dhe edukimi shëndetësor.

4. Të dhënat e bazuara mbi mjekët përshkrues

Mjeku është pika kritike në profilin e përdorimit të barnave. Mendohet shpesh se mjekët ndryshojnë nga njëri-tjetri më shumë se të sëmurët dhe se ndryshimet në mënyrën e përshkrimit shpeshherë nuk gjejnë shpjegime racionale. Përshkrimi dhe detajimi i faktorëve që ndikojnë mbi sjelljen dhe zakonin e të përshkruarit është thelbësor për të kuptuar si dhe pse janë përdorur barna të caktuara.

 

 

2.3. BURIMET E TË DHËNAVE MBI PËRDORIMIN E BARNAVE

 

Zinxhiri i përdorimit të barnave përfshin proceset e ardhjes së barnave, ruajtjes, përshkrimit, shpërndarjes, vlerësimit të kompliancës të të sëmurit, dhe rezultatet e mjekimit.

Të dhënat mbi përdorimin e barnave mund të përftohen nga studime sasiore dhe cilësore (13).

Të dhënat sasiore mund të përdoren për të përshkruar gjendjen aktuale, prirjet në përshkrimin e barnave, si dhe përdorimin e tyre në nivele të ndryshme të sistemit të kujdesit shëndetësor.

Studimet cilësore vlerësojnë përshtatshmërinë e përdorimit të barnave dhe në përgjithësi gjykojnë lidhjen ndërmjet të dhënave të përshkrimit me indikimet për përshkrim. Këto studime njihen si Studime Vlerësuese të Përdorimit të Barnave. Kjo mënyrë vlerësimi është një nga “auditimet terapeutike” i bazuar mbi kritere të mirëpërcaktuara dhe ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, duke pasur parasysh faktin që ka një interes gjithmonë në rritje për të vlerësuar impaktin ekonomik të kujdesit shëndetësor dhe teknologjisë mjekësore. Këto lloj studimesh kanë evoluar në një disiplinë më vete – farmakoekonomia, që i dedikohet studimit të mënyrës sesi metodat farmakoterapeutike influencojnë përdorimin e fondeve në shëndetësi.

Bazat e të dhënave aktualisht në përdorim për qëllime të studimeve mbi përdorimin e barnave mund të klasifikohen në dy grupe, konkretisht të palidhur me diagnozat, ose të lidhur me diagnozat (16). Ndërsa grupi i dytë e konsideron përdorimin e barnave në korrelim me indikimet e tij (p.sh trajtimi i ulçerës peptike (37), prirjet në përshkrimin për trajtimin e insuficiencës kardiake (38)), grupi i parë merret vetëm me studimin e konsumit të barnave të përshkruar në popullatë (p.sh. përdorimi i statinave) (31). Shumica e të dhënave të disponueshme kanë mungesë informacioni mbi sëmundshmëritë dhe përdoren kryesisht për të gjeneruar statistika mbi barnat dhe për të identifikuar zakonet e përshkrimit dhe konsumin të tyre. Të dhënat e përftuara nga përshkrimet e mjekëve të familjes mund të përmbajnë më shumë informacion mbi indikimin e barit të përshkruar lidhur me diagnozën përkatëse dhe të dhëna të tjera lidhur me shëndetin, ndonëse këto informacione nuk janë gjithmonë të plota (39).

Interesi në rritje për një përdorim sa më efektiv të fondeve për kujdesin shëndetësor ka rezultuar në formimin e një baze të dhënash kompjuterike për t’u shfrytëzuar për qëllimin e studimeve të konsumit. Të dhënat e mbledhura mund të jenë në trajtën e numrit të shitjeve të barnave, lëvizjet e barnave në nivele të ndryshme të zinxhirit të shpërndarjes, të dhëna nga faturat mjekësore dhe farmaceutike, ose nga recetat e përshkruara. Të dhënat mund të mblidhen gjithashtu nga importuesit e barnave, tregu i shitjeve të barnave, apo depot lokale farmaceutike. Këto të dhëna mund të përdoren për të gjeneruar indikatorët e nevojshëm që sigurojnë informacionin mbi zakonet dhe praktikën e të përshkruarit. Këta indikatorë, më tej, mund të përdoren për të evidentuar se cilat janë problemet me përdorimin e barnave, për të treguar mekanizmat e monitorimit dhe kontrollit dhe për të motivuar punonjësit e shëndetësisë në vendosjen dhe ndjekjen e standardeve në kujdesin shëndetësor.

Të dhënat e marra nga përshkrimet janë të nevojshme për të evidentuar disa nga indikatorët cilësorë të përdorimit të barnave të rekomanduar nga OBSH (13). Këto përfshijnë:

- Numrin mesatar të barnave që përshkruhen në një recetë;

- Përqindjen e barnave që përshkruhen me emër xhenerik;

- Përqindjen e recetave që përmbajnë një antibiotik të përshkruar;

- Përqindjen e recetave që përmbajnë një bar në formë injeksioni;

- Përqindjen e barnave të përshkruara që bëjnë pjesë në listën thelbësore të barnave;

- Koston mesatare të një recete të dhënë.

 

 

2.4. LLOJET E STUDIMEVE MBI PËRDORIMIN E BARNAVE

 

Studimet fillestare mbi përdorimin e barnave janë sasiore, përshkruese dhe të përqëndruara kryesisht mbi koston. Shumica e tyre janë kryer në vendet nordike. Studimet cilësore analitike si dhe përhapja e këtyre studimeve dhe në vende të tjera të Europës u zhvillua më vonë (40-44).

(i)         Studimet e ofertës (furnizimit)

Studimet e ofertës kanë treguar ndryshime të mëdha në vende të ndryshme, të cilat i atribuohen pjesërisht politikave të ndryshme shtetërore mbi regjistrimin e barnave dhe sistemin e kontrollit (45).Studimet e ofertës mund të hedhin dritë mbi mënyrat sesi barnat hidhen në treg dhe ju paraqiten profesionistëve të shëndetit dhe publikut. Ato mund të sigurojnë feedback për politikë-bërësit dhe organizmat rregullatorë duke i ndihmuar ata të kuptojnë cilat janë pasojat e veprimeve të tyre, veçanërisht kur ato vlerësohen në një perspektivë ndërkombëtare. Burimet e informacionit që shfrytëzohen për këto lloj studimesh përfshijnë regjistrat kombëtarë të produkteve farmaceutike që mbahen nga sistemet e shëndetit ose agjensitë rregullatore, si dhe katalogë të produkteve farmaceutike të tregtuara, që përgatiten nga profesionistët e fushës, industria farmaceutike, apo organizma të tjerë.

(ii)        Studimet sasiore mbi konsumin e barnave

Burimet e informacionit për studimet sasiore përfshijnë:

- të dhënat nga sistemet e rimbursimit;

- të dhënat e shitjeve të marra nga kompanitë dhe depot farmaceutike;

- të dhënat zyrtare mbi sëmundshmërinë;

- të dhëna mbi përshkrimin, të përftuara nga shërbimet shëndetësore, ose në nivel lokal (p.sh. nga spitalet, apo nga grupe mjekësh).

Studimet sasiore të kryera kanë treguar se krahasimet në nivel ndërkombëtar mund të shfaqin të papritura. Studimet që krahasojnë prirjet e konsumit të klasave të caktuara të barnave (antihipertensivët, psikotropët, antidiabetikë) ndërmjet vendeve të ndryshme kanë treguar ndryshime që janë të vështira të shpjegohen duke u bazuar vetëm në ndryshimet e prevalencës së këtyre sëmundjeve (42-44, 46, 47-49). Këto krahasime mund të sugjerojnë fusha të mjekësisë në të cilat barnat keqpërdoren.

Edhe studimet e kryera brenda një vendi janë të vlefshme për të përshkruar prirjet në përshkrimin dhe në konsumin e barnave, për identifikimin e diferencave në nivel qarqesh (47, 50), për vlerësimin e efikasitetit të masave rregulluese të marra (51, 52), si dhe për analizat e raportit përfitim-rrezik (53-55).

(iii)       Studimet cilësore

Identifikimi i diferencave në mënyrën e përshkrimit dhe në konsumin e barnave në vende të ndyshme, ose ndërmjet rajoneve të ndryshme të të njëjtit vend, nuk përcakton dot saktësisht se cilët janë faktorët që ndikojnë në këto diferenca të gjetura dhe nuk identifikon dot mënyrën më të mirë të përshkrimit të barnave. Nëqoftëse p.sh. konsumi i një grupi të caktuar barnash figuron më i lartë në një zonë në krahasim me të tjerat, lind nevoja të përcaktohet saktësisht çfarë është mbipërdorur dhe në çfarë forme. Disa herë, mbipërdorimi mund të reflektojë një përshkrim tejet të shtuar të një bari në një zonë apo shtet, duke e ngushtuar kështu fushën e kërkimit. Burimet e të dhënave për kryerjen e studimeve cilësore janë thelbësisht të njëjta me ato që përdoren për studimet sasiore, por që ju mbishtohen të dhënat që mundësojnë vlerësimin e efikasitetit dhe sigurisë të barnave të përdorura. Cilësia e furnizmit me barna mund të krahasohet gjithashtu me cilësinë e përshkrimit brenda të njëjtit vend, për të vëzhguar ritmet e ndryshimit të tij me kalimin e kohës.

Studimet mbi cilësinë e përshkrimit zhvillohen me efikasitet më të lartë në nivel kombëtar sesa në nivel ndërkombëtar dhe disa nga rezultatet e përftuara janë të vlefshme për të vlerësuar cilësinë e furnizimit me barna (56) dhe për të identifikuar barnat më shpesh të përshkruar (57).

(iv)       Studime të përshkrimit dhe mënyrës së të përshkruarit

Studimet e mësipërme, megjithëse janë të vlefshme, nuk vëzhgojnë thellësisht mënyrën e përshkrimit dhe ekspozimin e popullatës ndaj barnave të përshkruara.

Informacioni mbi recetat e përshkruara mund të merret nga institutet e rimbursimit, të cilët mbledhin të dhënat nga drejtoritë rajonale që përfshijnë: të gjitha barnat e përshkruara sipas klasave përkatëse, numrin e recetave, numrin e të sëmurëve, numrin e formëdozave të konsumuara dhe vlerën e rimbursimit për secilin produkt. Duke përdorur të dhënat mbi mënyrat e përshkrimet mundësohet korrelimi i karakteristikave të përshkrimit me faktorë të tjerë, p.sh.:

- Analizohen përshkrimet e barnave sipas kategorive të ndryshme të pacientëve në varësi të moshës, seksit, ose diagnozës (58);

- Studiohet lidhja ndërmjet barit të përshkruar dhe indikacionit përkatës;

- Identifikohet patologjia që trajtohet më shpesh;

- Identifikohen faktorët që influencojnë mënyrën e përshkrimit dhe shkallën e ndikimit në përshkrim të secilit faktor (59-61);

- Ekzaminohen probleme specifike të sigurisë mbi përdorimin e barnave në dritën e paktikës aktuale (53-55).

(v)        Studime mbi kompliancën e të sëmurëve ndaj trajtimit

Termi kompliancë (62) përcaktohet si shkalla në të cilën sjellja e të sëmurit (që përfshin marrjen e barnave, zbatimin e dietave, apo zbatimin e këshillave mjekësore mbi mënyrën e jetesës) përputhet me përshkrimin e mjekut. Disa nga studimet kanë treguar se vetëm një pjesë e të sëmurëve, të cilëve ju është përshkruar një mjekim i caktuar, e marrin rregullisht atë. Megjithatë, në të vërtetë ka pak studime mbi faktorët që ndikojnë mbi kompliancën dhe aderencën e të sëmurëve ndaj terapisë (63-65). Ky këndvështrim është një aspekt i rëndësishëm i studimeve mbi përdorimet e barnave sepse vendos një gur themeltar për ndërtimin e politikave mbi barnat. Një përdorim jokorrekt i barnave zvogëlon përfitimin terapeutik, shkakton efekte të padëshiruara dhe përbën keqpërdorim të burimeve financiare.

(vi)       Studimet ad hoc

Sudimet ad hoc mund të formulohen për t’u fokusuar mbi mënyrën e përdorimit të barnave në grupe të caktuara të popullatës, p.sh. sipas grupmoshave (66-68). Njohja e mënyrës së përdorimit të barnave në grupe të caktuara të popullatës (p.sh. tek gratë shtatzëna) është deri tani i kufizuar, por OBSH ka filluar të ndërtojë studime bashkëpunimi mbi përdorimin e barnave gjatë periudhës së shtatzënisë dhe kanë filluar të përftohen rezultatet e para të këtyre studimeve.