Doktoratura

DR.FLORETA KURTI

TEMA : VLERËSIMI I SEVERITETIT TË PANKREATITIT AKUT ME TË DHËNA KLINIKE, BIOLOGJIKE E IMAZHERIKE; ROLI I MEDIATORËVE TË INFLAMACIONIT NË DIAGNOZËN E PA.

 

Pankreatiti akut mbetet një sëmundje serioze.  Pankreatiti akut llogaritet të jetë diagnoza më e shpeshtë e të gjitha patologjive gastrointestinale, me kosto trajtimi shumë të larta (llogaritet të jetë sëmundja më e kushtueshme midis të gjitha diagnozave gastrointestinale, edhe pse nuk ka një terapi specifike për të. Pankreatiti akut gjithashtu renditet ndër 14 shkaqet e vdekjes nga sëmundjet gastrointestinale dhe ato të mëlçisë. Vdekshmëria nga pankreatiti akut është përafërsisht 3% për pankreatitet intersticiale dhe 15% për pankreatitet nekrotizante. Për shumë vite, janë bërë përpjekje të  konsiderueshme  të cilat kanë qenë të orientuara drejt vlerësimit  të hershëm të pacientëve me pankreatit akut, me qëllim identifikimin e  atyre pacientëve  të cilët potencialisht mund të zhvillojnë pankreatit akut të rëndë. Përfitimet e mundshme të këtyre përpjekjeve janë të shumëfishta. 

 

Së pari, do të lehtësohej përzgjedhja e pacientëve me pankreatit të rëndë dhe që kanë nevojë për terapi intensive e monitorim të kujdesshëm. Së dyti, do të  bënte të mundur identifikimin e  rasteve  me pankreatitit akut të rëndë në spitalet rajonale dhe transferimin e hershëm të tyre në qendra të specializuara. Së treti, do të bënte të mundur krahasimin e rezultateve klinike ndërmjet institucioneve të ndryshme. Dhe së katërti, parashikimi i saktë i prognozës në fillim  të sëmundjes  do të lehtësojë vlerësimin e  terapive të reja, kur ato të jenë të disponueshme. 

 

Në Shqipëri, nuk ka deri më tani të dhëna  epidemiologjike për pankreatitin akut, të paktën të publikuara, edhe pse ka pasur  komunikime personale dhe përpjekje të vazhdueshme të orientuara drejt kësaj patologjie. Nga vëzhgimet, bie në sy numri gjithnjë në rritje i të sëmurëve të hospitalizuar me pankreatit akut, shtimi i rasteve me pankreatit akut alkoolik, rënia e moshës mesatare të pacientëve me pankreatit, ndërkohë që mortaliteti mbetet në shifra pothuaj të qëndrueshme. 

 

Dy janë komponentët kryesore për vlerësimin e hershëm të  prognozës së pankreatitit akut, janë faktorët e rrezikut  të ashpërsisë dhe  faktorët prognostik (parashikues) të ashpërsisë. Faktorët e rrezikut të ashpërsisë janë të lidhur me pacientin në momentin e shtrimit por nuk janë parashikues të mirë të ecurisë.  Mosha e madhe, (55 vjeç ose më shumë), alkooli, indeksi i masës trupore më shumë se 30 kg/m2, prania e patologjive bashkëkzistuese janë faktorë rreziku për ashpërsinë e pankreatitit. Treguesit prognostik janë shënuesit (markuesit) e ashpërsisë që mund të maten në shtrim dhe në faza të ndryshme pas kësaj në mënyrë që të vlerësohet reagimi ndaj terapisë. 

 

Treguesit e prognozës në dispozicion në pranim përfshijnë azoteminë (më shumë se 20 mg/dL), kreatineminë (më shumë se 1.8 mg/dL) dhe hematokritin (më shumë se 44%), kriteret BISAP dhe mediatorët e inflamacionit IL-6 dhe CRP, të cilët  janë të thjeshtë në përdorim klinik dhe kanë rezultuar se e parashikojnë shumë mirë ecurinë e pankreatitit. Kriteret  e Ranson, Appache dhe Balthazar janë kritere tashmë të konfirmuara  si parashikuese të ashpërsisë së pankreatitit. Problemi me to qëndron në faktin se janë të pavolitshme në praktikën klinike, sepse kërkojnë vlerësimin e shumë treguesve dy ditët e para të shtrimit.

 

Nga kjo pikëpamje, ky studim është një përpjekje serioze për të studiuar PA në vendin tonë, dhe ka të dhëna ndoshta për herë të parë të publikuara ne Shqipëri.