Pershendetja e Dekanit, Prof. Xheladin Draçini me rastin e fillimit te vitit akademik 2020-2021

Të dashur studentë dhe personel akademik e administrativ i Fakultetit të Mjekësisë, UMT!

Më lejoni t’Ju uroj në rradhë të parë për përfundimin me sukses të semestrit të dytë, provimeve, rekuperimit të mësimit dhe diplomimit të vitit të shkuar akademik 2019 – 2020; vit mjaft i veçantë per dëmin e dyfishtë nga tërmeti shkatërrues dhe më pas nga pandemia Covid-19; në dijeninë dhe perceptimin kolektiv, më e rënda e qindvjeçarit të fundit. Falë masave të marra nga Dekanati dhe bashkëpunimit të gjithë grupeve të interesit, nuk patëm asnjë problem të ndjeshëm, veçanërisht shëndetësor, dhe ndërkohë jemi përgatitur me seriozitet për fillimin e mbarë të vitit të ri akademik 2020 – 2021.

Grupi i Punës, i kryesuar nga Dekani, ka përfunduar me kohë skemën e plotë të planit dhe procesit mësimor në kushtet e epidemisë, e cila për muajin në vijim do të përshtatet plotësisht me metodologjinë e mësimit në distancë online, pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve në kuadër të masave të marra nga administrata shtetërore për përballimin e epidemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Të nderuar kolegë pedagogë; Ju percjell falenderime të sinqerta dhe mirënjohje pafund për punën e palodhur pedagogjike të zhvilluar në këto kohë të vështira. Falë Jush, lidhja pedagog – student, e cila qëndron në themel të studimeve universitare mjekësore, mbeti e pacënuar dhe urojmë të mbetet e tillë, me kthimin sa më të shpejtë pranë laboratorëve dhe shtratit të të sëmurit, që janë auditoret dhe klasat tona të vërteta.

Të dashur studentë; do të dëshironim me gjithë zemër t’Ju mirëprisnim në mjediset tona mësimore, por shëndeti mbetet pasuria më e çmuar dhe situata aktuale epidemike kudo në botë na bën ta vlerësojmë edhe më shumë. Mësimi i plotë online në mjekësi dhe shkencat e shëndetit është sfidë madhore, por çdo sfidë mbart në vetvete çelësin e suksesit. Java në vijim do te jetë për Ju e dedikuar orientimit online për orarin, klasat virtuale dhe platformën online; sapo kjo e fundit të na jetë mundësuar nga autoritetet kompetente – sigurisht do të mbetemi në komunikim të vazhdueshëm elektronik për gjithçka nevojitet.

Duke shpresuar kthim sa më të shpejtë në auditore, sigurisht në kushte më të mira epidemiologjike, Ju uroj të gjithëve shëndet në rradhë të parë, dhe shumë suksese e mbarësi për vitin e ri akademik 2020 – 2021!

                                                                                                           

                                                                                                D E K A N I

 Prof. Dr. Xheladin Draçini