Articles

Mirese erdhet tek Faqja e Fakultetit te Mjekesise

Fjala përshëndetëse me rastin e emërimit Dekan i Fakultetit të Mjekësisë

Prof.Dr. Xheladin DraçiniDekani-Xheladin-Draçini-small

Dëshiroj, në rradhë të parë, të shpreh falenderimin dhe mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë pedagogët, specializantët dhe studentët që më dhanë besimin e tyre për drejtimin e Fakultetit të Mjekësisë katër vitet në vijim. Jam mirënjohës edhe për mbështetjen Tuaj,të shprehur me kohën që më kushtuat në takimet tona të shpeshta dhe pjesëmarrjen e plotë në votime;për vëmendjen që i treguat vizionit dhe platformës zhvillimore që paraqita përpara Jush dhe sigurisht edhe për rezultatin e votimit. Krahas mirënjohjes së natyrshme, ndiej gjithashtu përgjegjësinë e madhe që përfaqëson pozicioni i Dekanit. Ju më keni nderuar me besimin Tuaj, besim i cili duhet fituar dhe rifituar duke e kthyer në veprim dhe shërbim.

Jam shumë i lumtur që këto zgjedhje universitare treguan nivelin e lartë qytetar, shoqëror dhe civil të komunitetit akademik mësimdhënës dhe mësimnxënës të Fakultetit të Mjekësisë, duke ofruar një model social të admirueshëm, që vuri në themel procesin e ndershëm, transparent dhe gjithë përfshirës. Një falenderim të veçantë për kolegët kandidatë, të cilët i kam konsideruar si bashkëgarues dhe aspak si konkurentë, duke shprehur mirënjohje për standardet dhe vlerat që treguan. Në përfundim të këtij procesi zgjedhor fituese është një mendësi e re, pa asnjë formë të dukshme negativizmi, e cila vendos bashkëpunimin dhe empatinë në plan të parë dhe përmbi individët, vlerëson programet dhe vizionin e tyre.

Në administrimin e mjedisit akademik universitar mjekësor, sot është shumë e rëndësishme të vendosen raporte të drejta ndërmjet lidershipit dhe shërbimit, për të krijuar kushtet më të mira të mundshme për pedagogët, specializantët dhe studentët. Në ushtrimin e detyrës së Dekanit më motivon shërbimi dhe dëshira për të qenë i dobishëm; përkundrejt perceptimit të këtij pozicioni si titull pushteti dhe interesi personal. Gjatë katër viteve në vijim do t’i jap përparësinë absolute përkushtimit të fortë për integritet, ndershmërisë dhe vlerave etike, respektimit të ligjit, transparencës dhe përfshirjes në administrimin e fakultetit të të gjithë grupeve të interesit. Kjo është karta morale, nëpërmjet së cilës synoj të realizoj vizionin zhvillimor, të cilin ia kam paraqitur personalisht secilit prej Jush, me qëllim që  Fakulteti i Mjekësisë të bëhet forumi akademik elitar ku Kërkimi Shkencor, Edukimi, Komunikimi dhe Inovacioni shkrihen në një vizion unik.

Komunikimi i përditshëm me gjithë stafin pedagogjik të Fakultetit të Mjekësisë, me studentët, mjekët, specializantët në qindra takime të drejtpërdrejta, më tregoi qartas një të vërtetë të madhe – nevojën e përfshirjes në skemat e edukimit universitar mjekësor të Shkencës së Komunikimit si mjet të aksesimit të informacionit në epokën e mjekësisë të bazuar në të dhëna dhe të ndërthurjes së kërkimit shkencor klinik me procesin mësimor, duke mbajtur në qendër të vëmendjes studentët. Katalizatori më i fuqishëm për t’iu shërbyer të tjerëve është i mishëruar në lidhjen e ngushtë ndërmjet fakultetit dhe studentëve, të cilët duhet të qeverisen nga rregulla të qarta në një mjedis akademik të lirë, transparent, informues dhe gjithë përfshirës. Ne synojmë garantimin e parimeve universale të meritokracisë dhe shanseve e trajtimit të barabartë për të gjithë grupet e interesit; të cilët do të gëzojnë parashikueshmërinë maksimale për karrierat e tyre profesionale dhe akademike.

Mendoj se është momenti dhe koha për të kthyer faqen e praktikave të vjetëruara pedagogjike dhe akademike të së shkuarës nëpërmjet një reformimi rrënjësor kurrikular. Në metodologjinë e mësimdhënies do të synojmë të aplikohen edhe mënyra bashkëkohore dixhitale të mësimit (kurset e hapura online, simulimi, e-learning, telemjekësia etj.) dhe do të nxitet studimi multidisiplinar. Ndërtimi i mekanizmave të brendshëm për sigurimin e cilësisë dhe transparencës mbetet detyrë e rëndësishme me pikësynim akreditimin e të gjitha programeve të studimit të fakultetit. Prioritet është edhe integrimi i Fakultetit të Mjekësisë në rrjetet e huaja të edukimit dhe kërkimit shkencor mjekësor në një proces ndërkombëtarizimi përmes projekteve të përbashkëta, që përfshin edhe përmirësimin e integrimit të studentëve dhe kërkuesve tanë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë. Fjalët kyç janë ‚projektet’- ku Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, Qeveria Shqiptare, Shoqëria Civile dhe Institucionet Universitare Akademike Ndërkombëtare do të jenë partnerët dhe sponsorizuesit kryesorë.

Realizimi i këtij programi dhe vizioni zhvillimor nuk është i lehtë, por me besimin e pakufishëm në vlerat e ndershmërisë dhe moralit, si edhe në aftësitë e stafit tonë pedagogjik dhe kapaciteteve të komunitetit studentor; jam shumë optimist. Duke i përgatitur studentët tanë për të ushtruar mjekësinë, kërkimin shkencor dhe mësimnxënien bashkëkohore, ne përgatisim në të njëjtën kohë liderët e ardhshëm të ndryshimit, të cilët do të çojnë përpara shkencat mjekësore dhe shoqërinë në përgjithësi. Ju falenderoj edhe një herë për besimin Tuaj dhe për çdo mesazh urimi që më keni dërguar, duke Ju siguruar se çdo ditë e punës sime do t’i përkushtohet zhvillimit dhe modernizimit të Fakultetit të Mjekësisë në funksion të krijimit të një institucioni lider, i cili i shërben shoqërisë, ndryshon dhe modernizohet, duke ruajtur me ngulm vlerat e arritura gjatë  64 viteve të ekzistencës së tij.

FALEMINDERIT!