Rektorati
Historiku i Universitetit te Mjekesise
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) është qëndra publike e ekselencës së formimit universitar, pasuniversitar, kërkimit shkencor, trajnimit afatgjatë dhe e specializimit në të gjitha fushat mjekësore dhe përbën shembullin më të mirë të kampusit universitar në Republikën e Shqipërisë.
Në historikun e saj 60 vjeçar, Mjekësia Shqiptare filloi veprimtarinë e saj me krijimin e Institutit të Lartë Mjekësor (ILM), më 22 shtator 1952, dhe si rezultat i bashkimit të pesë Instituteve të Larta të vendit, në vitin 1957, ky Institut u bë pjesë përbërëse thelbësore në themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Më pas, në strukturën e Universitetit Shtetëror të Tiranës u formua Fakulteti i Mjekësisë.
Në sajë të rëndësisë dhe vlerave të Mjekësisë Shqiptare, më në fund, me krijimin e Universitetit të Mjekësisë, ajo nderohet me tempullin e saj të mirënjohjes, dijes dhe zhvillimit të mëtejshëm në fushat mjekësore.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë u themelua më datë 23.01.2013 me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Krijimi i Universitetit erdhi si rrjedhojë e ndryshimeve rrënjësore në strukturat e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe nga dëshira e profesoratit të nderuar që ka punuar për të pasur më në fund një universitet tërësisht mjekësor në Shqipëri. Ky krijim erdhi si detyrim i domosdoshëm i Mjekësisë Shqiptare që të interpretojë dhe të orientojë sa më mirë transformimet dhe zhvillimet teknologjike të kohës, duke garantuar përpunimin, inovacionin, transferimin dhe vlerësimin e njohurive në avantazh të individit dhe të shoqërisë shqiptare. Në strukturën e UMT-së u bashkuan Fakulteti i Mjekësisë dhe ai i Infermierisë, të cilët u shkëputën nga Universiteti i Tiranës dhe u bënë pjesë përbërëse e pesë njësive kryesore të këtij Universiteti. Këto njësi janë të ndara në pesë fakultete, përkatësisht: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Fakulteti i Farmacisë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike si dhe Fakulteti i Shëndetit Publik.
Strukturat e Universitetit ndodhen vetëm pak minuta larg nga qëndra e Kryeqytetit dhe ndodhen në periferinë veri-lindore të Tiranës, brenda Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT). Brenda QSUT-së ndodhen dy nga Fakultetet e Universitetit, Fakulteti i Stomatologjisë dhe ai i Shkencave Mjekësore Teknike, si dhe zyrat administrative të Rektoratit. Ndërsa strukturat e tjera të UMT-së, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Farmacisë, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe Biblioteka e Universitetit ndodhen në rrugën e Dibrës, përballë zyrave të administratës së QSUT-së.
Rektorati
Prof. Dr. ARBEN GJATA
REKTOR I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Prof. Dr. ANYLA BULO
ZV. REKTORE PËR KURRIKULAT DHE MENAXHIMIN AKADEMIK
Prof. As. SUELA KËLLIÇI
ZV.REKTORE PËR KËRKIMIN SHKENCOR
Z. Andi MAHILA
ADMINISTRATOR I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
website : www.umed.edu.al