Doktoratura

EMBOLIA YNDYRORE SI NDËRLIKIM NË FRAKTURAT E ANËSIVE - Dr. Mustafa Bajraktari

Sindromi i embolizmit yndyror (SEY) është një komplikacion i rrallë, por me rrezikshmëri të lartë për jetën në frakturat e kockave të gjata. Prezantimi klasik i saj konsiston në një interval asimptomatik që ndiqet më pas me manifestime pulmonare dhe neurologjike të kombinuara me petekie hemorragjike në lëkurë dhe mukoza. Sindromi ndjek një kurs klinik bifazik. Simptomat kryesore janë probabilisht të shkaktuara nga okluzioni (bllokimi) mekanik i enëve të shumta të gjakut nga globulet (rruazat) yndyrore, të cilat janë aq të mëdha sa nuk mund të përshkojnë kapilarët. Bllokimi i enëve të gjakut shpesh është tangentcial ose jo i plotë, gjithashtu globulet yndyrore nuk e bllokojnë komplet kalueshmërinë e gjakut kapilar edhe për shkak të lëmueshmërisë dhe të deformueshmërisë që ato kanë. Paraqitja klinike e mëvonshme i dedikohet ose është rezultat i hidrolizës së yndyrnave në acidet e lira yndyrore (ALY) që janë irrituese, të cilat migrojnë në organet e tjera nëpërmjet qarkullimit sistemik.

Embolizmi yndyror (EY) është një problem i përbashkët për pacientët e traumatizuar dhe për ata pacientë që i nënshtrohen kirurgjisë së kockave të anësive të poshtme. Në këto kushte yndyrnat nga palca kockore janë në gjendje për t’u shkëputur dhe për t’u futur në brendësi të enëve të gjakut të dëmtuara në formën e embolave yndyrore, embola të formuara si rrjedhojë e bashkimit të pikave yndyrore.

Shumë pacientë të cilët kanë embolizëm yndyror nuk deklarohen pasi simptomat (shenjat klinike) janë të vogla. Por, për një numër të vogël pacientësh, këto embola yndyrore bllokojnë enët e vogla të gjakut të mushkërive, të trurit dhe të lëkurës e mukozave duke çuar në një kaskadë simptomash dhe çrregullimesh që çojnë në sëmundjen apo komplikacionin e njohur si: “sindromi i embolizmit yndyror”.

Problemi më i rëndë i SEY është ARDS (sindromi i distresit respirator të adultit) ku mushkëritë nuk janë në gjendje për të absorbuar oksigjen dhe pacientët vuajnë nga hypoksia e thellë. Ky është grupi i pacientëve të cilët trajtohen në njësitë e terapisë intensive (Reanimacion).

Karakteristikat klinike madhore të SEY përfshijnë insuficiencën respiratore, shenjat neurologjike dhe rashin petekial të lëkurës dhe mukozave. Insuficienca respiratore karakterizohet nga ulja e ngopjes me oksigjen të gjakut  SpO2) < 90% dhe PaO2<60%, por pa rritje të PaCO2. Shenjat neurologjike variojnë nga përgjumja, konfuzioni, axhitimi deri në koma. Shenjat e lëkurës karakterizohen nga petekje që shfaqen në pjesën e sipërme të trupit, kryesisht në: shpatull, regjionin aksillarë, qafë dhe në gjoks, të cilat shfaqen dhe zhduken brenda disa orëve. Ndërsa petekiet e mukozave, kryesisht të konjuktivave dhe të gojës, qëndrojnë për një kohë më të gjatë.

SEY është një çrregullim multisistemik me dëmtimet më të rënda në mushkëri dhe në tru. Çrregullimet respiratore variojnë nga hypoksemia asimptomatike deri në ARDS që kërkon ventilacion mekanik (VM). Në rastet me dekurs të zgjatur mund të kemi dhe mbivendosjen e infeksioneve dytësore. Çrregullimet neurologjike karakterizohen nga ndryshime sasiore dhe cilësore, nga çrregullime të ndërgjegjes deri në koma.

Takikardia është një simptomë tipike e SEY, por kjo është parë dhe në pacientë me trauma të shumta (multiple) pa shfaqjen e SEY, kështu që nuk është një shenjë patognomonike për SEY, por shenjë që kompleton klinikën kur janë të pranishme shenjat e tjera të triadës së SEY.

Trombocitopenia vërehet në 20-50% të rasteve. Retinopatia është prezente 24 orët e para në 50% të pacientëve [1].

Embolizmi yndyror mund të paraqitet nga ana fizpatologjike në 90% të pacientëve me dëmtime ose trauma të rënda të skeletit. Por vetëm 0.5-5% të rasteve shfaqin SEY rreth 24-72 orë pas dëmtimeve të mësipërme [2]. Rezultati është vdekjeprurës në 10-15% të rasteve me SEY [3]. Diagnoza e SEY është e vështirë për t’u bërë në autopsi, sidomos në rastet pa të dhëna klinike. Globulet yndyrore brenda në qarkullimin pulmonar që gjenden te të vdekurit e lidhin shkakun e vdekjes me embolizmin yndyror. Në SEY klasik shumë globule yndyrore janë zbuluar në mikroqarkullim dhe sidomos në organet parenkimatoze, por mushkëritë, truri dhe veshkat janë më të parapëlqyerat [1], [4].

Deri në 90% të rasteve me SEY janë të lidhura me traumat, fraktura ose kirurgji të kockave të mëdha, të tilla si: femur, baçini ose kërciri. Gjithashtu SEY mund ta takojmë dhe në raste të tjera, si: në pacientët që marrin infuzione me lipide për ushqyerje parenterale, pankreatit, djegie, lindje dhe në disa raste të tjera të patologjive që ndryshojnë metabolizmin e yndyrnave të organizmit [5], [6].

Triada klasike e SEY nuk është gjithmonë e pranishme dhe për këtë arsye dhe diagnoza mund të jetë e vështirë, kështu që incidenca e raportuar e SEY varion dhe brenda studimit të të njëjtit grup autorësh nga 11% në studim  rospektiv në 1% në studim retrospektiv 10-vjeçarë [5], [7]. Edhe vdekshmëria është e vështirë për t’u matur dhe është vlerësuar të jetë nga 10-20% [8].

Duke qenë që SEY është një koleksion shenjash klinike respiratore, neurologjike, të lëkurës dhe hematologjike, që shfaqen në trauma dhe ndërhyrje kirurgjikale të anësive ose kockave të mëdha, dhe më rrallë në kondita të caktuara të ndryshimeve metabolike të organizmit, janë dhënë përkufizime të shumta, por të ngjashme për embolizmin yndyror (EY) dhe sindromin e embolizmit yndyror (SEY) që bëjnë lidhjen dhe dallimin midis tyre dhe përkufizimet më të pranueshme po i citojmë më poshtë:

  • EY (embolizmi yndyror). Prezenca e globuleve yndyrore brenda qarkullimit sistemik dhe pulmunar që mund të prodhojnë fenomene embolike me ose pa shenja klinike.
  • SEY (sindromi i embolizmit yndyror). Shenja klinike që manifestohen 24-72 orë pas traumave, ndërhyrjeve kirurgjikale të anësive ose kondicioneve të tjera me ndryshime metabolike të organizmit, që paraqiten me triadën:
    1. Çrregullime respiratore.
    2. Ndryshime të gjendjes mendore.
    3. Rash petekial të lëkurës.

Këto janë përkufizimet më të pranueshme për EY dhe SEY që u përputhen shumicës së autorëve që kanë përshkruar dhe studiuar embolizmin yndyror.

Për të shkarkuar të plotë materialin klikoni link-un e mëposhtëm:
EMBOLIA YNDYRORE SI NDËRLIKIM NË FRAKTURAT E ANËSIVE

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim; Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim; Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër ... Read more ...

hipokratit