Doktoratura

Heqja e kataraktit me metodën ekstrakapsulare dhe të fakoemulsifikimit dhe implantimi i lentes intraokulare në dhomën e pasme. Vlerësimi dhe krahasimi i ndërlikimeve të hershme dhe të vonshme në një kampion të popullatës shqiptare - Z.Muhamed Troplini

PARATHËNIE
Dëmtimi i rëndë i pamjes për shkak të kataraktit përbën një nga sfidat më të madha të shëndetit publik në shekullin e XXI. Katarakti është shkaku kryesor i dëmtimit të rëndë të pamjes (verbërisë) në mbarë botën, dhe përbën pothuajse gjysmën (47.8%) e të gjitha rasteve të verbërisë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vlerësohet se rreth 20 milionë njerëz në mbarë botën janë të verbër për shkak të kataraktit bilateral. Gjithashtu, është vlerësuar se mbi 90% e personave me dëmtim të rëndë të pamjes nga katarakti jetojnë në vendet në zhvillim. Në këto vende, dëmtimi i rëndë i pamjes është i lidhur jo vetëm me një invaliditet të konsiderueshëm, por edhe me shtim të vdekshmërisë, duke shkaktuar në këtë mënyrë pasoja të rëndësishme ekonomike dhe sociale. Në vitin 2002, OBSH ka vlerësuar se dëmtimi i rëndë i pamjes (verbëria) prekte globalisht 37 milionë njerëz. Në rast se nuk ndërmerren përpjekje serioze gjithashtu globale për të trajtuar kataraktet si shkakun kryesor të rikthyeshëm të verbërisë, ky numër parashikohet të rritet në 76 milion deri në vitin 2020. Pikërisht,për të adresuar këtë çështje të verbërisë në rritje, në vitin 1999 OBSH dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Parandalimin e Verbërisë kanë ndërmarrë një iniciativë globale të quajtur “Vizion 2020 – E drejta për të Parë”.
Trajtimi i vetëm i kataraktit mbetet heqja kirurgjikale e tij. Ekstraktimi intrakapsular i kataraktit (ICCE) është një teknikë operatore gjatë të cilës hiqet kristalini së bashku me kapsulën përreth tij njëherësh. Kjo procedurë karakterizohet nga një incidencë relativisht e lartë e ndërlikimeve për shkak të nevojës për një prerje të mëdhe dhe të ushtrimit të presionit mbi trupin vitreoz. Pas heqjes së kristalinit, mund të vendoset një lente plastike artificiale në dhomën e përparme, ose të qepet në sulkus, ose mund të vendoset syze. Gjatë katër dekadave të para të shekullit të 20-të, ICCE ishte forma mbizotëruese e ekstraktimit të kristalinit. Nga fund të viteve 1960 në fillim të viteve 1980 është përdorur një formë e ICCE, krioekstraktimi, ku nëpërmjet një substance kriogjene, siç është azoti i lëngshëm, ngrihet kristalini, i cili më pas hiqet nëpërmjet krioekstraktorit. Ekstraktimi ekstrakapsular i kataraktit (ECCE) përfshin heqjen e pothuajse të gjithë lentes natyrale (kristalinës), duke ruajtur kapsulën elastike natyrale të kristalinit (kapsulën posteriore) të paprekur, me qëllim që të mundësohet implantimi i lentes intraokulare artificiale. Kjo procedurë kirurgjikale kërkon largimin manual të kristalinit nëpërmjet një incizioni i cili bëhet në korne, sklerë ose në kufirin ndërmjet tyre, që më pas suturohet.
ECCE e ndjekur nga implantimi e lentes intraokulare u bë metoda e preferuar për trajtimin e kataraktit në vitet 1980 dhe sot kirurgët e shumicës së vendeve në zhvillim, përfshi edhe vendin tonë, janë trajnuar në këtë teknikë. Kjo metodë konvencionale vazhdon të jetë e indikuar në pacientët me katarakte shumë të fortësuar apo në situata të tjera në të cilat fakoemulsifikimi mund të jetë problematik.
Fakoemulsifikimi, i futur nga në praktikën mjekësore nga Kelman në vitin 1967, është padyshim një nga inovacionet më të rëndësishme në okulistikë. Fakoemulsifikimi realizohet nëpërmjet një pajisje të veçantë, të teknologjisë së lartë, e cila me anën e një sondë titani ose çeliku emeton ultratinguj. Nën ndikimin e ultratingujve materiali i kristalinit emulsifikohet. Ndonjëherë, nga një portë anësore, mund të përdoret një
tjetër instrument, i quajtur "chopper" i cili mundëson ndarjen e nukleusit në copeza më të vogla. Copëzimi i nukleusit lehtëson emulsifikimin, si dhe ndihmon në aspirimin e materialit kortikal. Pas fakoemulsifikimit të plotë të nukleusit dhe materialit kortikal, vazhdohet me irrigim/aspirimin me qëllim që të largohet i gjithë materiali kortikal.
Fakoemulsifikimi tashmë është pranuar gjerësisht si procedurë kirurgjikale standarte për trajtimin e kataraktit, sidomos në vendet e zhvilluara. Kjo për shkak se studimet e shumta kanë treguar se kur aplikohet kjo teknikë/metodë kirurgjikale, rezultatet janë më të mira. Fakoemulsifikimi mundëson heqjen e kataraktit nëpërmjet një prerje vetëm 3.0 mm, duke eliminuar në këtë mënyrë shumë prej ndërlikimeve që lidhen sidomos me mbylljen e plagës kur aplikohet kirurgjia me incizion të madh (ekstraktimi ekstrakapsular i kristalinit konvencional), si dhe shkurton në një masë të madhe periudhën e rikuperimit të pamjes. Megjithatë, fakoemulsifikimi kërkon një teknologji që mund të realizohet vetëm nga makineri të kushtueshme, që kërkojnë një burim të vazhdueshëm dhe të besueshëm të energjisë, mirëmbajtje të rregullt, dhe sidomos kirurgë dhe personeli ndihmës të trajnuar.
Aktualisht, në vendin tonë janë në përdorim të dy teknikat kirurgjikale, ekstraktimi ekstrakapsular i kataraktit dhe fakoemulsifikimi. Ekstraktimi ekstrakapsular i kataraktit përdoret gjerësisht në strukturat publike të kujdesit shëndetësor dhe kirurgët okulistë janë trajnuar intensivisht për aplikimin e saj gjatë specializimit të tyre. Fakoemulsifikimi, gjithashtu ka filluar të përdoret gjerësisht këto dhjetë vitet e fundit, kryesisht në klinika private por edhe në disa strukturat publike, siç është Qëndra Spitalore Universitare e Tiranës dhe Spitali Rajonal i Durrësit.
Autori i këtij disertacioni gjykon se ka ardhur koha që të bëhet një vlerësim shkencor i përvojës së deritanishme në trajtimin kirurgjikal të kataraktit, të evidentohet dhe të krahasohet efikasiteti dhe siguria e secilës teknikë në kushtet e praktikës mjekësore shqipëtare, duke besuar që ky do të jetë një kontribut modest në përpjekjet e okulistikës shqipëtare për të realizuar objektivat e saj.

Për të shkarkuar të plotë materialin klikoni link-un e mëposhtëm:
Heqja e kataraktit me metodën ekstrakapsulare dhe të fakoemulsifikimit dhe implantimi i lentes intraokulare në dhomën e pasme. Vlerësimi dhe krahasimi i ndërlikimeve të hershme dhe të vonshme në një kampion të popullatës shqiptare - Z.Muhamed Troplini

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim; Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim; Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër ... Read more ...

hipokratit